Rekordi për qeverisjen më afatgjatë në Itali, Meloni i përgjigjet Ramës: Miku im Edi, faleminderit! Shqipëria, mike dhe partnere e çmuar

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministrja  italiane Giorgia Meloni i është përgjigjur urimit të kryeministrit Edi Rama për rekordin prej 1413 ditësh në detyrë, duke u bërë kryeministrja me qeverinë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.

Meloni e falënderoi Ramën për videomesazhin, duke vlerësuar mënyrën e tij për të ndërthurur ironinë me ato që ajo i cilësoi si “të vërteta të pakëndshme”.

“Edi, miku im, të falënderoj nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta të pakëndshme!”, shkruan Meloni.

Duke iu referuar ndryshimeve të shpeshta të kryeministrave italianë ndër vite, Meloni tha se ndryshimi i shpeshtë i “stolit” nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme. Ajo shprehet se është e kënaqur që Rama tashmë ka pasur mundësinë të krijojë një marrëdhënie më të afërt me qeverinë aktuale italiane.

“Më vjen mirë të di që, pas kaq shumë ndryshimesh të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ke pasur mundësinë të afeksionohesh pak më shumë me atë aktualin. Ndryshimi i shpeshtë i “stolit” nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të arrish rezultate”, shkruan ajo.

Meloni e cilësoi Shqipërinë “një mike dhe një partnere të çmuar”, ndërsa theksoi se është krenare për rrugëtimin që dy vendet po bëjnë së bashku në kuadër të integrimit evropian.

“Gjatë këtyre viteve kemi ndarë një marrëdhënie të sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që ka forcuar gjithnjë e më shumë lidhjen mes dy vendeve tona. Shqipëria është një mike dhe një partnere e çmuar, dhe jam krenare për rrugëtimin që po bëjmë së bashku edhe në kuadër të integrimit evropian. Një përqafim i përzemërt, dhe shihemi së shpejti!”, shkruan Meloni.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një videoje homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë e saj, ku vlerësoi politikën e saj ndaj Evropës, sigurisë dhe emigracionit.

Qeveria e Giorgia Melonit ka shënuar një rekord historik në Itali, duke kaluar 1,413 ditë në detyrë dhe duke u bërë qeveria më jetëgjatë që prej krijimit të Republikës Italiane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme