Reshjet/ Prefekti i Tiranës: Janë evakuuar 32 persona, prezencë uji në 25 banesa dhe biznese. Haxhimali: Bashkitë të papërgatitura

Aktualitet | 10 muaj më parë

Situata e ditëve të fundit, e shkaktuar nga reshjet intensive të shiut në vendin tonë, ka rikthyer në vëmendje nevojën për parandalim dhe planifikim afatgjatë të menaxhimit të riskut nga faktorët natyrorë.

Në një intervistë në “Tema e Ditës” nga Arbër Hitaj në RTSH, prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, deklaroi se 72 orët e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për qarkun për shkak të reshjeve të dendura.

Qëndro bëri me dije se në Tiranë janë evidentuar rreth 15 raste me prezencë uji në autostrada, rrugë urbane dhe rurale, si dhe rreth 25 raste përmbytjesh në bodrume, banesa dhe biznese në të gjithë qarkun.

Gjithashtu në Vorë dhe Tiranë, tha Qëndro, janë evakuuar 32 persona.

“Kanë qenë 72 orë të vështira, kemi pasur reshje të dendura. Sot kanë nisur edhe reshjet e dëborës dhe jemi prezentë në Rrugën e Arbrit, aksin Dajt–Shëngjergj dhe rrugën e vjetër në zonën e Krrabës që të çon për Elbasan. Ka funksionuar numri i shërbimeve për borëpastruese dhe janë marrë të gjitha masat dhe rrugët janë të kalueshme. Situata e reshjeve, kemi pasur disa problematika në Tiranë, kemi pasur gati 15 raste prezence të ujit në autostrada, rrugët e qytetit dhe rrugët e fshatrave. Kemi pasur rreth 25 raste të prezencës së ujit në disa bodrume, banesa dhe biznese në të gjithë qarkun. Kemi 21 raste të rrëshqitjes së dherave në zona të ndryshme, por kryesisht kanë ndodhur në Vorë dhe Rrogozhinë. Kemi pasur 12 zona me problematikë të mungesës së energjisë elektrike dhe 32 banorë të evakuuar në Vorë dhe në Tiranë”, tha Qëndro.

Ai bëri me dije gjithashtu se në grykëderdhjen e lumit Shkumbin ka dalje të lumit për shkak të prurjeve të mëdha, por pa rrezik për banesat dhe bizneset.

“Aktualisht situata është nën kontroll dhe kemi rreth 80 diga, liqene dhe rezervuarë në të gjithë qarkun ku situata është normale. Ujësjellësi i Bovillës është në nivele të pranueshme dhe poshtë nivelit kritik dhe është bërë pastrimi i kanaleve dhe jemi në kushte normale në qytetin e Tiranës. Kemi një situatë në grykëderdhjen e lumit Shkumbin ku kemi dalje të lumit për shkak të prurjeve të mëdha në zonat përreth, por nuk ka rrezikshmëri për banesat dhe bizneset në atë zonë. Nesër dhe pasnesër do kemi një situatë me reshje dhe temperatura të ulëta, por nuk do kemi atë nivel reshjesh që kemi pasur ditët që lamë pas. Të gjitha strukturat dhe institucionet kanë qenë 24 orë në gatishmëri dhe nuk kemi pasur asnjë incident me rrezikim të jetës apo dëmtim të banesave”, tha ai.

Prefekti i Tiranës vuri theksin se ajo që duhet bërë më mirë për parandalimin e këtyre rasteve është jo vetëm edhe te faktori njerëzor si shkak kryesor i përmbytjeve.

“Elementi njeri është faktori kryesor në përmbytjet, pasi duhet të kemi një kulturë tjetër në raport me territorin, sistemet nëntokësore të kanalizimeve dhe kemi 35 vite që nuk i kemi më institutet e projektimit që parashikojnë saktë numrin e banesave dhe popullsinë në një zonë të caktuar. Duhet të jemi më të kujdesshëm me të gjithë rezervuarët që kemi në të gjithë vendin, të cilat duhet të rishikohen, riparohen dhe kontrollohen, si dhe me hidrovorët, dhe të kemi një raport të drejtë me natyrën. Ne kemi dëmtuar pyjet dhe trajtimi që i bëjmë mbetjeve duhet të jetë më i rregullt nga çdo njeri, pasi këtë nuk e bëjnë dot vetëm institucionet, por duhet edhe kulturë qytetare”, tha Qëndro.

Nga ana tjetër, Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor, ngriti shqetësimin se menaxhimi i situatave emergjente duhet parë në funksion të parandalimit.

“Nëse do ishte punuar më mirë gjatë 12 muajve të vitit, kryesisht në parandalim dhe zvogëlim të riskut, do kishim një situatë krejt tjetër sot, me pasoja më të ulëta. Tirana është në një situatë më të favorshme, por qarqet e tjera kanë më shumë probleme. Duhet të jemi më korrektë dhe më të drejtpërdrejtë me qytetarët që gjërat të përmirësohen dhe të përballohen më mirë. Instrumentet dhe financimi për emergjencat civile i kanë bashkitë dhe të gjitha bashkitë e vendit duhet të kishin qenë në një nivel më të lartë përgjegjësie dhe detyrash. Duhet pastruar territori, të hapen kanalizimet dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve. Duhet të ishte punuar më shumë gjatë 12 muajve të vitit që të kishim një përballim më të mirë”, tha ai.

Haxhimalit kritikoi ndërtimet pranë shtretërve të lumenjve, përrenjve dhe hidrovorëve, ndërsa theksoi se pa planifikim të qëndrueshëm dhe investime në sistemet nëntokësore të kanalizimeve, përmbytjet do të mbeten një problem i përsëritur.

“Arsyet pse këto përmbytje po bëhen të përsëritura lidhen me mungesën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për të përballuar urbanizimin dhe faktorët klimatikë. Duhet investuar në sistemin nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Nuk mund të ndërtosh afër shtratit të lumenjve, përrenjve apo pranë hidrovorëve. Kjo është e pafalshme për ata që kanë dhënë leje dhe secili duhet të marrë përgjegjësi për vendimmarrjen që ka pasur”, tha Haxhimali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme