Reshjet sjellin shembje masive shkëmbinjsh në aksin Rrëshen-Burrel
Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar një situatë problematike në infrastrukturën rrugore të veriut të vendit, konkretisht në aksin nacional Rrëshen-Burrel.
Sipas gazetarit të RTSH 24, autoritetet raportojnë se në disa segmente të këtij aksi ka pasur rrëshqitje të dherave dhe rënie gurësh, duke rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Situatë kritike pranë Urës së Urakës
Pika më problematike aktualisht paraqitet në afërsi të Urës së Urakës. Në këtë zonë, një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali duke përfunduar në mes të rrugës. Prania e shkëmbit ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe përbën një rrezik potencial për drejtuesit e mjeteve që lëvizin me shpejtësi, veçanërisht gjatë natës ose në kushte me shikueshmëri të ulët.
Rruga me një korsi
Përveç rënies së gurëve, ky segment rrugor po vuan edhe dëmtimin e trupit të rrugës. Raportohet për shembje të skarpatës anësore, çka ka sjellë ngushtimin e karrexhatës. Për pasojë, në pikat ku ka ndodhur shembja, lëvizja e automjeteve po kryhet vetëm me një sens, duke krijuar vonesa dhe nevojë për kujdes të shtuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që frekuentojnë aksin Rrëshen-Burrel të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën provizore dhe të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht në zonën e Urakës, derisa të bëhet e mundur ndërhyrja për pastrimin e plotë të inerteve dhe stabilizimin e rrugës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




