Restaurimi i afreskeve, në Manastirin e Spilesë procesi pritet të mbyllet brenda janarit

Në Manastirin e Spilesë në fshatin Saraqinishtë të Gjirokastrës po vijon puna për restaurimin e afreskeve. Për realizimin e këtij procesi janë angazhuar specialistë të pikturave murale me përvojë.
Një prej tyre është Adrian Cene, i cili ka mbi 20 vite eksperiencë në këtë fushë.
“Në këto momente jemi duke bërë disa procese pastrimi nga kripërat dhe më vonë do të ndërhyjmë në faza të tjera të konservimit dhe restaurimit. Problematika më e madhe e kësaj murale janë kripërat dhe kjo bën që kjo murale të mos jetë shumë e qartë”, tha Cene.
Këto ndërhyrje vijnë menjëherë pas restaurimit të pjesës arkitektonike të objektit, i cili rrezikonte shembjen.
“Ka përfunduar arkitektura dhe momentalisht po vazhdon faza e restaurimit të afreskut. Procesi po ecën në mënyrë të sigurtë, punime të cilat do të shpëtojnë humbjen e këtyre punimeve të rëndësishme”, tha Ardis Duka, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore.
Manastiri i Spilesë është një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore, me moshë afro 400 vjeçare. Me një largësi 20 km nga Gjirokastra, ai ka marrë tashmë edhe vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




