Rezerva federale nën presionin e Trump, ul për herë të parë këtë vit normat e interesit, paralajmëron edhe ulje të tjera
Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara uli për herë të parë këtë vit normën bazë të interesit, duke sinjalizuar shqetësim për ngadalësimin e punësimit dhe rreziqet në tregun e punës.
Vendimi erdhi mes një presioni të shtuar nga presidenti Donald Trump, i cili prej muajsh ka kërkuar ulje më të forta.
Normat u ulën me 25 pikë bazë, në intervalin 4.0 deri në 4.25 për qind, dhe priten edhe dy ulje të tjera brenda vitit.
Vetëm anëtari më i ri i bordit, Stephen Miran, ish-këshilltar i Trump, votoi kundër, duke kërkuar një ulje më të thellë. Miran mori pjesë për herë të parë në mbledhje, vetëm një ditë pasi u betua si guvernator i Fed-it.
Sipas Bankës Qendrore, ekonomia parashikohet të rritet me 1.6 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa inflacioni dhe papunësia mbeten të pandryshuara. Federata thekson se rreziqet për tregun e punës janë shtuar, ndërkohë që inflacioni vazhdon të jetë mbi objektivin 2 për qind.
Tregu i punës po humbet ritmin dhe papunësia është rritur lehtë, ndonëse ende në nivele të ulëta. Trump ka kritikuar hapur kreun e Fed-it, Jerome Poëell, dhe është përpjekur të ndikojë në përbërjen e bordit drejtues.
Ndërkohë, Miran është kritikuar nga demokratët për mënyrën si kaloi nga Shtëpia e Bardhë në Fed, ndërsa mandati i tij zgjat deri në fund të janarit.
Ekonomistët paralajmërojnë se ndikimi politik ndaj bankave qendrore mund të sjellë pasoja negative për ekonominë.
Ulja e fundit e normave ishte në dhjetor dhe gjatë këtij viti ato janë mbajtur të pandryshuara për të vlerësuar ndikimin e tarifave tregtare të vendosura nga administrata Trump.
Gazetare: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




