Rikthimi i Enxhi Nasufit në Festivalin e RTSH: ‘Drita’ është kënga e shpirtit tim për publikun shqiptar
Nga studiot e emisionit “Çasti i Duhur” të moderuar nga Fjodora Fjora, këngëtarja Enxhi Nasufi ka dhënë detaje mbi pjesëmarrjen e saj në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH.
Ajo ka bërë të ditur se do të rikthehet për herë të katërt në skenën e festivalit, këtë herë me këngën “Drita”, një projekt që e cilëson si më personalin e saj deri më sot.
Nasufi tha se përgatitjet janë në vazhdim bashkë me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa për publikun premton një performancë energjike dhe të veçantë.
“Të treja pjesëmarrjet e mëparshme kanë qenë shumë ndryshe nga njëra-tjetra, por kjo do jetë edhe më ndryshe dhe surprizuese. Kam marrë pjesë gjithmonë me zhanër të ndryshëm muzikor kur kam dashur të eksperimentoj. Pjesëmarrja e parë ka qenë ‘Indfinitit’ në formën e bajlandos dhe kam dalë e pesta në renditje. Më pas kam pasur këngën ‘Njësoj’, një zhanër tjetër që për kohën ka qenë pak ndryshe për festivalin, dhe e treta ka qenë kënga ‘Burrë’. Ndërsa pjesëmarrja e katërt tashmë do jetë ‘Drita” u shpreh ajo.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj artistik, këngëtarja theksoi se ky është momenti i duhur për të rikthyer veten në festival me një projekt të plotë dhe të pjekur.
“Patjetër që jam rritur profesionalisht dhe mendoj që është momenti i duhur që të jem pjesë e këtij festivali. Ky është momenti i duhur dhe me eksperiencën që unë kam tashmë prej kaq vitesh si me televizionin, me kërcimin dhe me këngën që kam vendosur të rikthehem, të dalë e ‘kopsitur’ bukur,” tha Nasufi.
Kënga e saj e re “Drita” është një projekt i veçantë, ku Enxhi është autore e tekstit dhe e ka bazuar në përjetimet personale.
“Tekstin e kam shkruar vetë. Është përjetimi i gjithë atyre që kam kaluar vitet e fundit. Jam rritur dhe karakterialisht dhe profesionalisht, me sfida dhe vështirësi, por me shumë dritë brenda vetes time. Ndaj kam vendosur që këtë dritë dhe këtë përvojë të shpirtit tim ta sjell në skenën e festivalit. Shpresoj që njerëzit jo vetëm ta mirëpresin por edhe ta kuptojnë mesazhin e këngës, sepse mendoj se i përket të gjithëve,” – u shpreh ajo.
Këngëtarja shtoi se mesazhi i saj është universal dhe prek secilin, që sikurse ajo theksoi “Unë dua që të gjithë me këngën time të jenë bashkë, të bëhemi njëlloj dhe mos harrojmë që shpirti, dashuria dhe drita do duhet të jetë kryefjala e çdo gjëje”.
Duke treguar motivet që e shtynë për të shkruar këtë këngë, ajo rrëfeu një moment introspektiv të jetës së saj.
“Në momente të caktuara të jetës kam kuptuar që kam harruar ta dua veten time. Jam përpjekur të dashuroj dhe të përpiqem për njerëz të tjerë, nuk flas vetëm në aspektin romantik, por edhe në atë shoqëror dhe profesional. Në një moment të caktuar kam ndaluar, kam analizuar dhe kam thënë që është momenti që të dua veten time,” përfundoi Enxhi Nasufi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




