Rivaliteti/ Ferrari del sërish kundër Mercedesit, kërkohet ndërhyrja e FIA-s

Formula 1 | 7 muaj më parë

Në Formula 1 edhe detajet apo hapësirat më të vogla mund të ndryshojnë gjithçka. Ky është rasti i menaxhimit të “power unit” në kualifikuese, ku Mercedesi dhe Red Bull-i kanë gjetur një mënyrë për ta shfrytëzuar maksimalisht komponentin elektrik. Një zgjidhje e lejuar, por që ngre pikëpyetje të forta teknike dhe të rregullores.

Në qendër të çështjes është menaxhimi i MGU-K, sistemit që rikuperon dhe çliron energjinë elektrike. Në kushte normale, pasi arrin fuqinë maksimale, sistemi zvogëlon në mënyrë progressive kW e disponueshme. Por disa “power unit” arrijnë ta vonojnë këtë rënie, duke ruajtur shtytjen maksimale më gjatë, para se ta ndërpresin plotësisht.

Dhe këtu lind avantazhi. Në kualifikuese, veçanërisht në pjesën finale të pistës, ato pak sekonda të fuqisë ekstra mund të përkthehen në metra të fituara dhe në një kohë të xhiros më të mirë.

Përballë këtij skenari, skuderia Ferrari ka reaguar. Sipas “The Race”, Ferrari ka kërkuar sqarime nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, jo më shumë për të bllokuar rivalët se sa për të kuptuar, nëse ky interpretim i rregullores është i destinuar të zgjasë.

Sa vlen vërtet ky “truk”? Jo dhe aq shumë sa për të rivolucionarizuar një kualifikuese, por mjafton për të bërë diferencën, kur flitet me të mijëtat. Dhe pikërisht me këto detaje luhet sërish vija e hollë mes zgjuarsisë teknike dhe shpirtit të rregullores.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme