Rregulla të reja për “Lejen Unike”, digjitalizohen procedurat e punësimit për të huajt, lehtësira për rajonin dhe SHBA-në

Aktualitet | 3 muaj më parë

Me synim përmirësimin dhe saktësimin e procedurave për trajtimin e të huajve që kërkojnë të punësohen legalisht në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të ri të përbashkët.

Udhëzimi përcakton qartë hapat ndërinstitucionalë ndërmjet autoriteteve të Kufirit dhe Migracionit dhe atyre të Punësimit, për miratimin e “Lejes Unike”.

Digjitalizimi dhe shqyrtimi i kërkesave

Sipas dokumentit zyrtar, çdo kërkesë për pajisje ose ripërtëritje të lejes unike do të kryhet ekskluzivisht nëpërmjet platformës e-Albania. Për shumicën e kategorive të punëtorëve—përfshirë punonjësit stinorë, të vetëpunësuarit, punëtorët e shtëpisë, vullnetarët apo ata me kualifikim të lartë—kërkesa do të shqyrtohet fillimisht nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Për të shmangur burokracitë dhe vonesat, udhëzimi vendos një afat strikt kohor për institucionet e tregut të punës.

“Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së shprehet në sistemin elektronik online… brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës,” saktësohet në dokument.

Procedura të përshpejtuara për shtete specifike

Një risi e rëndësishme e këtij udhëzimi është thellimi i lehtësirave për shtetasit e disa vendeve partnere dhe atyre fqinje. Qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qytetarët e zonës Shengen jashtë BE-së, si dhe ata nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë) nuk do t’i nënshtrohen shqyrtimit paraprak nga AKPA.

Për këtë target-grup, udhëzimi specifikon një linjë direkte komunikimi me autoritetet e sigurisë:

“Kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit, ndërsa AKPA-ja i siguron të dhënat për këtë kategori të huajsh të punësuar, nëpërmjet sistemit elektronik.”

Rinovimi i lejeve dhe shkëmbimi i informacionit

Për sa i përket ripërtëritjes së lejes unike, procedura mbetet e ngjashme me aplikimin fillestar, por me një përjashtim të rëndësishëm në favor të biznesit: nuk kërkohet më procedura e shpalljes së vendit të lirë të punës.

Ndërkohë, strukturat e Kufirit dhe Migracionit do të kenë përgjegjësinë finale për verifikimin e dokumentacionit të ngarkuar online nga aplikantët.

Ky udhëzim i ri, i firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, hyn menjëherë në fuqi dhe shfuqizon rregulloren e mëparshme të vitit 2023, duke synuar një menaxhim më transparent dhe efikas të tregut të punës për shtetasit e huaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme