Rrezik maksimal/ SHBA-të u kërkojnë qytetarëve të mos lëvizin në Turqinë juglindore, urdhërojnë stafin të largohet nga konsullata në Adana

Uashingtoni ka këshilluar stafin jo-thelbësor të largohet nga konsullata e saj pranë qytetit jugor turk të Adanas, pranë një baze kyçe të NATO-s, dhe ka urdhëruar qytetarët amerikanë të largohen nga “Turqia juglindore”, tha të hënën ambasada amerikane në Ankara.
“Juglindja e Turqisë: Paralajmërimi i udhëtimit për juglindjen e Turqisë është rritur në Nivelin 4 – Mos udhëtoni. Paralajmërimi i udhëtimit për Turqinë mbetet në Nivelin 2 – Tregoni kujdes të shtuar.
Nuk ka pasur ndryshime në nivelin e përgjithshëm të paralajmërimit apo në treguesit e rrezikut për Turqinë. Megjithatë, zona me rrezik të shtuar në juglindje të Turqisë është përditësuar në paralajmërimin e udhëtimit për të reflektuar ndryshimet në operacionet e misionit amerikan.
Nuk ka prioritet më të lartë se siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë për presidentin Trump, sekretarin e Shtetit Rubio dhe të gjithë Departamentin e Shtetit.
Më 9 mars 2026, Departamenti i Shtetit urdhëroi punonjësit jo-emergjentë të qeverisë amerikane dhe familjarët e tyre të largohen nga Konsullata e Përgjithshme në Adana, si masë paraprake”, njoftoi ambasada amerikane në Turqi ditën e sotme.

Sistemi i paralajmërimeve të udhëtimit i Departamentit Amerikan të Shtetit ka 4 nivele kryesore: Niveli 1 – Tregoni kujdes normal. Rrezik i ulët (Exercise Normal Precautions). Udhëtimi konsiderohet përgjithësisht i sigurt, por rekomandohet kujdes bazë; Niveli 2 – Tregoni kujdes të shtuar (Exercise Increased Caution). Ekzistojnë disa rreziqe si krimi, tensionet politike apo situata të tjera; Niveli 3 – Rishikoni udhëtimin (Reconsider Travel). Rrezik më i lartë për shkak të sigurisë, terrorizmit, konfliktit ose situatave të paqëndrueshme; Niveli 4 – Mos udhëtoni (Do Not Travel), niveli më i lartë i rrezikut. Zakonisht lidhet me luftë, terrorizëm, rrëmbime ose kriza të mëdha sigurie.
Siç është raportuar që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael më 28 shkurt, Irani është hakmarrë me sulme me raketa dhe dronë në të gjithë Lindjen e Mesme në një përpjekje për të goditur asetet amerikane.
Deri më tani, Turqia duket se është kursyer, pavarësisht faktit se trupat amerikane janë të stacionuara në disa nga bazat e saj.
Njëra është baza ajrore Incirlik, një strukturë e rëndësishme e NATO-s që është përdorur nga trupat amerikane për dekada të tëra, e cila ndodhet vetëm 10 kilometra (gjashtë milje) jashtë qytetit të Adanas.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



