Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë për Tunelin e Llogarasë, Peleshi: Nën hetim nga SPAK, Kuvendi nuk ndërhyn
Rrëzohet kërkesa e Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për Tunelin e Llogarasë.
Nga ana e tij, kryeparlamentari Peleshi argumentoi se çështja është nën hetim nga SPAK dhe se ndërhyrja e Kuvendit do binte ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës. Ai theksoi se zhvillimi i interpelancës, është i pamundur për t’u realizuar.
“Kuvendi të ushtrojë funksionet kontrolluese pa ndërhyrë në veprimtarinë që janë objekt i procedurave gjyqësore apo hetimore në zhvillim.
Lidhur me objektin e kërkesës së paraqitur, ajo lidhet me një çështje aktualisht në hetim nga SPAK, në këto kushte ndërhyrja e kuvendit përmes zhvillimit të një interpelance që binte ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës dhe ndalimin e çdo ndikimi në proceset hetimore të garantuar nga kushtetuta dhe ligji për prokurorinë.
Për këto arsye, vlerësoj se zhvillimi i interpelancës urgjente është i pamundur për t’u realizuar”, deklaroi Peleshi.
Kërkesa për interpelancë u parashtrua në Kuvend nga deputeti demokrat Klevis Balliu i cili kërkoi prezencën e ministres Balluku në seancë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve të opozitës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi zyrtarisht më 31 tetor 2025, ngritjen e akuzës penale ndaj Ministres në detyrë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




