Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, BE shpall Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë një hap vendimtar duke e shpallur Gardën Revolucionare të Iranit një organizatë terroriste. Lajmi u bë i ditur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, përmes një postimi në rrjetin social X.
“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje. Ministrat e Jashtëm të BE-së sapo ndërmorën hapin vendimtar duke e cilësuar Gardën Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste. Çdo regjim që vret mijëra qytetarë të vet po punon drejt shkatërrimit të vet”, shkroi Kallas.
Vendimi vjen në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohen. Pas kërcënimeve të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme. Të paktën 10 anije luftarake amerikane ndodhen aktualisht në rajon, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln.
Nga ana tjetër, Ushtria e Iranit ka njoftuar se ka shtuar rreth 1,000 dronë të rinj në regjimentet e saj luftarake. Komandanti i ushtrisë iraniane, Amir Hatami, paralajmëroi një “përgjigje dërrmuese” ndaj çdo sulmi të mundshëm.
“Në përputhje me kërcënimet me të cilat po përballemi, ruajtja dhe forcimi i avantazheve strategjike për veprime të shpejta dhe një përgjigje shkatërruese ndaj çdo pushtimi janë gjithmonë në axhendën e ushtrisë”, citohet të ketë thënë Hatami, sipas televizionit shtetëror iranian.
Ndërkohë, Kremlini i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të tregojnë përmbajtje në lidhje me veprimet e mundshme ndaj Iranit, duke theksuar se mundësia për një zgjidhje diplomatike “nuk është shteruar”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




