Rritet bilanci i viktimave nga Ebola në Kongo, konfirmohen raste edhe në Uganda

Botë | 6 muaj më parë

Të paktën 131 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i Ebolës në Republika Demokratike e Kongos, ndërsa janë raportuar më shumë se 513 raste të dyshuara, sipas zyrtarëve lokalë.

Autoritetet kongoleze paralajmërojnë se virusi po përhapet në një zonë gjithnjë e më të gjerë. Rastet e reja janë identifikuar në Nyakunde në Provincën Ituri, Butembo në Kivu të Veriut dhe në qytetin e Gomës, duke rritur shqetësimet për përhapje të mëtejshme.

Ndërkohë, Uganda ka konfirmuar dy raste me Ebola dhe një viktimë, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin aktual të virusit Bundibugyo si emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Qeveria e Kongos ka bërë thirrje për qetësi, duke deklaruar se ekipet e reagimit po punojnë intensivisht për gjurmimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara dhe se nuk ka arsye për panik.

Një mjek amerikan që punonte në Kongo rezultoi pozitiv me Ebola. Grupi misionar mjekësor Serge konfirmoi se bëhet fjalë për mjekun Peter Stafford, i cili do të dërgohet në Gjermani për trajtim.

Dy mjekë të tjerë, përfshirë bashkëshorten e tij, Dr. Rebekah Stafford, janë vendosur në karantinë pasi u ekspozuan gjatë trajtimit të pacientëve, megjithëse nuk kanë shfaqur simptoma.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme