Rritet paraja kesh – Në Shqipëri qarkullojnë 420 miliardë lekë jashtë bankave, 9% më shumë se në 2024
Qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar duket se është kthyer në një fenomen në vendin tonë. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se paraja kesh ka arritur mbi 420 miliardë lekë, sipas statistikave zyrtare për muajin shkurt.
“Janë rreth 423 miliardë lekë që qarkullojnë jashtë sektorit bankar në Shqipëri. Është një shifër e rëndësishme dhe në rritje krahasuar me një vit më parë, me afërsisht 9 për qind. Megjithatë, ndoshta mënyra më e saktë për të vlerësuar paranë që qarkullon jashtë sektorit bankar është në raport me ofertën totale të parasë ose të paktën të monedhës vendase në ekonomi. Kjo matet zakonisht me agregatin monetar M2, i cili përfaqëson vlerën e të gjitha depozitave dhe llogarive në lek, plus paranë jashtë bankave”, tha eksperti bankar Ersuin Shehu.
Sipas z. Shehu, qarkullimi i lartë i parasë në dorë lidhet me disa faktorë, si pastrimi i parave, informaliteti apo tradita e të bërit pagesa me para në dorë.
“Kuptohet që niveli ende i lartë i informalitetit dhe evazionit fiskal në ekonominë shqiptare është një prej arsyeve. Transaksionet kesh e bëjnë më të thjeshtë fshehjen e të ardhurave. Po ashtu, kultura e trashëguar ka ndikuar, pasi vendi ynë ka një stad relativisht të vonuar të përdorimit të formave alternative të pagesës”, tha z. Shehu.
Për reduktimin e kësaj lëvizjeje të lartë të parasë në dorë, Shehu propozon përdorimin e instrumenteve alternative të pagesës.
Ndërkaq, brenda vitit 2026 pritet që qeveria të zbatojë strategjinë e të ardhurave, duke caktuar një limit për transaksionet në kesh.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




