Rritja e parametrave të sigurisë, nis rimodelimi i hyrjes në godinën e GJKKO dhe SPAK

Aktualitet | 9 muaj më parë

Godinat e Strukturës së Posaçme Ati Korrupsion dhe Gjykatës së posaçme prej kohësh i janë nënshtruar një rikonstruksioni, me qëllim vijimin e punës me standarde ndërkombëtare si dhe rritjen e parametrave të sigurisë.

Pamjet që shihni i përkasin punimeve që po kryhen këto ditë, ku hyrja e godinës po rimodelohet, në përputhje me kushtet e kërkuara për rritjen e sigurisë.

Sipas të dhënave nga grupi i punës, aty do të vendosen skaner kontrolli, për të evituar futjen në mjediset e gjykatës dhe prokurorisë të mjeteve të ndaluara, që më pas mund të vënë në rrezik jetën e magjistratëve dhe jo vetëm.

Ndërkohë, në mjediset e brendshme ka përfunduar tashmë puna për rimodelimin e sallave të gjyqit, sipas modelit amerikan.

Burimet saktësojnë, se një pjesë e këtij investimi është financuar nga fondet e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pra nga pasuri të përfituara nga veprimtari kriminale.

Investimi synon të rrisë sigurinë dhe efikasitetin në zhvillimin e proceseve të rëndësishme penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai vjen në një kohë kur Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar që prej muajit dhjetor rritjen e parametrave të sigurisë në institucione pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme