RTSH, dritare e traditës dhe kulturës shqiptare në “Klik Ekspo Group” — Marrëveshje për transmetimin ekskluziv të Kampionatit Botëror të Skive

Aktualitet | 12 muaj më parë

Gjatë panairit “Klik Ekspo Group”, gazetarja Sonila Agostini raportoi për stendën e Radio Televizionit Shqiptar, e cila prezanton historinë dhe kontributin e RTSh në ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare.

“Jam zhvendosur këtu, ku RTSh ka vendosur një stend ambicioze ku në mënyrë simbolike janë vendosur disa objekte të cilat tregojnë historinë e RTSh, të historisë së shqiptarëve që bëjnë  të mundur  përcjelljen e traditës, të gjuhës shqipe, që e mbron atë që e flasim çdo ditë dhe e transmetojnë në programet tona të shumta. Jemi një dritare e hapur nëpërmjet kanaleve të RTSh por edhe në kanalet e radios. Një buqetë e plotë e të gjithë platformës së informacionit që RTSH sjell për teleshikuesit nga mëngjesi deri në mesnatë”, theksoi gazetarja Agostini.

Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme e RTSh, Eni Vasili, dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive do të nënshkruajnë një marrëveshje të rëndësishme për transmetimin ekskluziv të Kampionatit Botëror të Skive në ekranin e RTSh.

Ngjarja shënon një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e programeve sportive të transmetuesit publik,

“Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për ato që organizojnë Festivalin e Këngës në RTSh, do të jetë një dritare për kulturën. Në agjendën e ditës së sotme, rreth mesditës ka një lajm shumë të mirë për sportdashësit, ku do të firmoset një marrëveshje e rëndësishme mes Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSh, Eni Vasili dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Skive për të bërë të mundur transmetimin në ekranin e RTSh, kampionatin Botërorë të Skive, etapa vijuese që në fakt që prej të dielës së ardhshme do të transmetohen ekskluzivisht në ekranin e RTSH. Maratona e ekranit në RTSh do të pasurohet ditë pas dite, me evente të rëndësishme por kjo marrëveshje është e rëndësishme për të gjithë ata që kanë interes për të kuptuar se çfarë ndodh në botën e skive”, tha ajo.

RTSH vijon të mbetet një institucion i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike të vendit, me një arkiv të pasur të ngjarjeve më të rëndësishme, filmave, produksioneve dhe muzikës shqiptare.

Një kënd i veçantë në stendë i është kushtuar edhe historikut të Festivalit të Këngës në RTSH, i cili këtë vit zhvillon edicionin e 64-t dhe do të përzgjedhë përfaqësuesin e Shqipërisë në “Eurovision”.

“RTSH ruan në mënyrë të magjishme historinë dhe arkivin më të jashtëzakonshëm të historisë të Shqipërisë, të ngjarjeve më të rëndësishme, të produksioneve më të mira dhe jo vetëm, të filmave gjithashtu, telenovelave shqiptare, prodhimeve më të mira kinematografike të cilat kanë ardhur nëpërmjet ekranit të vetëm të RTSH. Gjithashtu nuk mund të mungonte dhe këndi dedikuar historisë së muzikës, asaj të lehtë në RTSH. Festivali i 64 i Këngës në RTSH, ku do ti dedikohet muzikës së lehtë shqiptare, ku do të dal një fitues i cili do të na përfaqësojë në Eurovizion”, shtoi Agostini.

Ndërsa përgatitjet vijojnë edhe për Festivalin e 64-t të Këngës në RTSh, që do të përzgjedhë përfaqësuesin e Shqipërisë në “Eurovision”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme