RTSH me identitet të ri, Drejtoresha e Përgjithshme znj.Vasili: Hapim një kohë të re. Rikthejmë besimin dhe audiencën te media publike

Radio Televizioni Shqiptar nis sezonin e ri televiziv me një identitet të ri vizual, logo të re dhe një sërë risish në programacion. Prezantimi u bë këtë të mërkurë në ambientet e RTSH-së, në një ceremoni ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, gazetarë, artistë dhe figura të njohura të ekranit.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, znj.Eni Vasili, tha se identiteti i ri synon të bashkojë eksperiencën e gjatë të institucionit me një qasje më moderne.
“Është një paketë grafike e re, shumë e bukur, rinore, moderne, ashtu siç duam që të jetë RTSH-ja. Është një koncept që dëshiron të transportojë të gjitha ato që dimë se ekzistojnë në këtë institucion kaq të madh dhe me eksperiencën e madhe që ka, me njerëz me një bagazh të madh profesional”, tha znj.Vasili.
Znj.Vasili theksoi se ndryshimi nuk synon të shkëpusë RTSH-në nga e kaluara, por ta zhvillojë atë në përputhje me kohën.
“Duam të transmetojmë të shkuarën, të mos e harrojmë, por ta evoluojmë dhe t’i japim ritmin e kohës. Nga detyrat që kishim për normalizimin e institucionit, sot detyra e re është ta çojmë atë përpara, aty ku është edhe vizioni ynë”, u shpreh ajo.
Sezoni i ri sjell prezantues dhe autorë të rinj, si dhe formate të reja në ekran. Sipas Vasilit, përzgjedhja është bërë duke pasur në fokus energjinë, profesionalizmin dhe lidhjen me publikun.
“Dua të flas për prezantuesit dhe autorët e rinj. Janë risi në sezonin e ri dhe kriteri kryesor i përzgjedhjes së tyre ishte energjia, profesionalizmi dhe dashuria për publikun, por edhe dashuria për RTSH-në”, tha znj. Vasili.
Drejtoresha e RTSH-së tha se objektivi është rikthimi i besimit dhe vëmendjes së publikut ndaj televizionit publik.
“Do të doja shumë që së bashku të rikthejmë dashurinë dhe besimin që ka pasur publiku shqiptar për RTSH-në. Do të punojmë që RTSH-së t’i kthehen besimi, audienca dhe vëmendja e publikut”, tha ajo.
Vasili vlerësoi gjithashtu mbështetjen e EBU-së në procesin e reformimit të institucionit, duke e cilësuar bashkëpunimin me të si të rëndësishëm për zhvillimin e RTSH-së sipas standardeve evropiane.
“Sot është e rëndësishme të falënderojmë partnerët tanë, sidomos EBU-n. Kur filluam mbledhjet e para me EBU-n, një nga gjërat e para që kërkova ishte që të na jepnin të gjithë ekspertizën e tyre për reformën në RTSH. Pas 40 ditësh, ata ishin në RTSH.
Ata na mbështetën dhe bënë të mundur një proces shumë të rëndësishëm të formimit të gjithë strukturës që do të çojë patjetër në ndryshime ligjore dhe në krijimin e themeleve që do ta bëjnë transmetuesin publik të besueshëm dhe të vërtetë, ashtu si simotrat e RTSH-së në të gjithë Evropën.
Media në të gjithë botën përballet me sfida të mëdha. Edhe në këtë moment, nevoja për mediat publike është gjithmonë e më e dukshme dhe më e rëndësishme. Duhet t’i japim publikut një hapësirë ku të argëtohet dhe të informohet”, tha znj. Vasili.
Me identitetin e ri vizual dhe programacionin e sezonit të ri, RTSH synon të sjellë një qasje më moderne në ekran, duke ruajtur njëkohësisht traditën dhe eksperiencën e transmetuesit publik shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




