Rusia planifikon ndërtimin e një centrali bërthamor në Hënë deri në vitin 2036

Rusia ka shpallur planet për të ndërtuar një central bërthamor në Hënë gjatë dekadës së ardhshme, me synimin për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe stacionin e përbashkët kërkimor ruso-kinez.
Lajmi vjen në një kohë kur fuqitë e mëdha po garojnë për të eksploruar satelitin e vetëm natyror të Tokës.
Që prej vitit 1961, kur kozmonauti Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë, Rusia është krenuar si një fuqi kryesore në eksplorimin hapësinor. Megjithatë, dekadat e fundit e kanë parë vendin të mbetet prapa Shteteve të Bashkuara dhe gjithnjë e më shumë Kinës. Ambiciet e Moskës pësuan një goditje të rëndë në gusht 2023, kur misioni pa pilot Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë tentativës për ulje. Ndërkohë, kompanitë private si SpaceX e Elon Musk kanë revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, dikur një fushë ku Rusia kryesonte.
Në një deklaratë zyrtare, korporata shtetërore hapësinore Roscosmos bëri të ditur se ka nënshkruar kontratë me Shoqatën Lavochkin për ndërtimin e centralit elektrik hënor deri në vitin 2036. Sipas Roscosmos, ky central do të furnizojë me energji roverët, observatorët dhe infrastrukturën e Stacionit Ndërkombëtar të Kërkimit Hënor ruso-kinez. “Projekti është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni shkencor hënor që funksionon përgjithmonë dhe kalimit nga misionet e njëhershme në një program afatgjatë të eksplorimit hënor”, thuhet në deklaratë.
Edhe pse nuk u konfirmua qartë se centrali do të jetë bërthamor, Roscosmos theksoi se në projekt janë të përfshira korporata shtetërore bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, institucioni kryesor i kërkimit bërthamor në Rusi. Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, ka deklaruar më herët se një nga objektivat kryesorë është vendosja e një centrali bërthamor në Hënë, si dhe eksplorimi i planetit Venus.
Hëna, e cila ndodhet 384,400 kilometra larg Tokës, ka një rol të rëndësishëm në ekuilibrin e planetit tonë, duke moderuar lëkundjen e boshtit dhe duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo gjithashtu ndikon drejtpërdrejt në baticat e oqeaneve, duke e bërë eksplorimin e saj një objektiv strategjik për fuqitë e mëdha hapësinore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




