Rusia vijon sulmet ndaj Ukrainës edhe në festën e Krishtlindjes

Europë | 10 muaj më parë

Rusia ka vazhduar sulmet edhe ditën e Krishtlindjes ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të reja të energjisë elektrike për konsumatorët në rajonet Chernihiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Kharkiv, ka raportuar Ministria e Energjisë së Ukrainës.

Ministria ka njoftuar në Telegram më 25 dhjetor se në rajonin e Odesës ka ndërprerje energjie për shkak të bombardimeve të mëparshme.

“Energjetikët po bëjnë çdo gjë të mundshme për të rikthyer sa më shpejt pajisjet e dëmtuara dhe për të rivendosur furnizimin me energji për të gjithë konsumatorët. Punimet emergjente të restaurimit vazhdojnë pa ndërprerje,” ka theksuar Ministria e Energjisë.

Ndërkaq, më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij për Krishtlindje theksoi unitetin kombëtar në kohë lufte.

Sipas Zelenskyt, Ukraina kërkon paqe ndërsa Rusia vijon të kërkojë luftë.

“Prej kohësh të lashta, ukrainasit kanë besuar se natën e Krishtlindjes qielli hapet. Dhe nëse u tregoni dëshirën tuaj, ajo patjetër do të realizohet. Sot, ne të gjithë kemi një ëndërr të përbashkët. Dhe shprehim një dëshirë të përbashkët për të gjithë,” u shpreh Zelensky.

Ai theksoi se ne kërkojmë paqe për Ukrainën ndërsa rusët sipas tij, vijojnë sulmet edhe në festën e Krishtlindjes.

 “Por kur i drejtohemi Zotit, natyrisht, lutjet tona janë më të gjera. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Në prag të Krishtlindjes, rusët treguan përsëri se kush janë në të vërtetë. Sulm masiv, qindra ‘Shahed’, raketa balistike, Kinzhal – gjithçka u përdor. Kështu godasin ata pa Zot”, tha Zelensky.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme