Samiti VI i Komunitetit Politik Europian, Rama: Pse mos të imagjinojmë një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit

Mesazhe bashkimi dhe paqeje ka dhënë kryeministri Edi Rama në fjalën hapëse të seancës plenare të Samitit VI të Komunitetit Politik Europian.
Kryeministri deklaroi se mbajtja e këtij samiti në tiranë dhe mbërritja e liderëve ndërkombëtarë në Shqipëri vijon fushata e Europës, duke qenë më prezente se kurrë në rajon.
Ndërsa e konsideroi rrugëtimin e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian si një kthim në shtëpi, Rama theksoi se ka ardhur koha për një vizion të ri.
“Përse të mos imagjinojmë një Aleancë ndërkombëtare përtej armatimit. Kërkimesh shkencore, ku territore që ende nuk janë anëtare të bëhen pjesë…Duke nxitur epokën e fundit të rritjes reale. Le t’u japim të rinjve të Europës, bizneseve të reja një arsye më të mirë për të qëndruar, se sa të flasim vetëm për armë apo riarmatim, dhe le t’u japim një motiv të fortë për të ndërtuar, për të ëndërruar në tokën europiane, në vend që t’i hedhin sytë e të shkojnë larg, për të ndjekur ëndrrat e tyre.
Në fakt, beteja jonë nuk mund të ketë të bëjë vetëm me qëndresën ndaj asaj çka mund të na bëjnë të tjerët, por duhet të jetë po kështu, diçka që lidhet me atë çfarë ne mund të bëjmë për veten tonë, për fëmijët tanë dhe për Europën tonë. Nuk ka të bëjë vetëm me qëndresën kundër shkatërrimit, kjo është afërmendsh, por ka të bëjë me kurajën për të ndërtuar, për të ringjallur urtinë e historisë sonë dhe për të forcuar besimin në kapacitetet tona njerëzore të arsyetimit.
Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi, sepse i plotfuqishmi kishte një plan për Amerikën, tha vetëm gjysmën e së vërtetës, gjysma tjetër është se Zoti kishte një plan edhe për Europën, e nuk mund të ishte më e qartë se sakaq, Europa edhe njëherë ka një mundësi të dhuruar prej Zotit për të rishpikur veten,” tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



