Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri: Bashkëpunimi më i fortë se kurrë. Sot u ulëm për të ardhmen e përbashkët

Politikë | 12 muaj më parë

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministren italiane Giorgia Meloni, Kryeministri Edi Rama theksoi marrëdhëniet e veçanta që lidhin të dy vendet, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Italinë është më i fortë se kurrë.

“Sot kemi edhe provë shkencore që, përveç qeverisë italiane, nuk ekziston një qeveri tjetër që të flasë 100% gjuhën italiane. Për ne është një ditë historike, sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me atë italiane për të folur në mënyrë të përbashkët. Në të gjitha vitet që kam pasur privilegjin të udhëheq qeverinë shqiptare, nuk kam pasur asnjëherë dyshim për qëllimin e mirë të Italisë, por me këtë qeveri ekziston edhe dëshira për të bërë më shumë,” u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi ndihmën e Italisë në disa fusha kyçe të bashkëpunimit, duke përmendur mbështetjen diplomatike, ekonomike dhe teknike që qeveria italiane i ka ofruar Shqipërisë.

“Jemi shumë mirënjohës, sepse jo vetëm që Italia është motra jonë e madhe, por edhe ministrat e saj janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Falë angazhimit vëllazëror të ministrave të Italisë, jemi në gjendje të projektojmë në disa drejtime për të fuqizuar aftësitë tona. Antonio Tajani ka qenë gjithmonë një mik i Shqipërisë. Ai na mbështet jo vetëm në rrugën diplomatike, por edhe në atë ekonomike,” tha më tej Rama.

Rama përmendi se falë bashkëpunimit të ngushtë mes dy qeverive, të gjithë shqiptarët që kanë punuar në Itali sot përfitojnë të drejtën e pensionit, një arritje e rëndësishme për qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme