Seanca e sotme plenare, Peleshi: Kuvendi do vijojë punimet mbështetur në Kushtetutë dhe rregullore

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar pas seancës së sotme plenare ku u miratua, vetëm me votat e maxhorancës, programi i qeverisë dhe kabineti i ri qeveritar. Në një postim në Facebook, Peleshi shkruan se Kuvendi do të vijojë me punën e tij, “mbështetur në Kushtetutë dhe rregullore”.
“Në seancën e sotme plenare miratuam programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, një hap i rëndësishëm për të çuar përpara vizionin qeverisës të vendit për Shqipërinë 2030. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë punën e tij, të mbështetur në Kushtetutë, Rregullore dhe Kodin e Etikës, duke garantuar standarde të larta pune dhe transparence, në përputhje me praktikat më të mira të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian ku synojmë të integrohemi”, shkruan Pelshi.
Seanca e sotme, e cila zgjati vetëm 25 minuta, u shoqërua me tensione të forta, pasi opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
Pas seancës, PD mblodhi Grupin Parlamentar, ndërsa Gazment Bardhi tha se u vendos që të kërkohet përsëritja e seancës, do t’i kërkohet Presidentit që të mos thërrasë në betim ministrat dhe po ashtu do të fillojnë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




