Seanca në Hagë, Smith: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave. ZPS provoi krimet e luftës
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë vijon leximin e aktgjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues po paraqet gjetjet e tij lidhur me trajtimin e personave të ndaluar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë.
Sipas gjyqtarit Charles Smith, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të vërtetojë se është kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.
“Shumë viktima u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Shumë prej tyre u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se ata u ndaluan si ‘bashkëpunëtorë’ ose ‘spiunë’. Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve. Midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 14 komuna të Kosovës, anëtarë të UÇK-së kryen veprime ose mosveprime ndaj 385 personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Trupi gjykues konstaton se Zyra e Prokurorit të Specializuar i vërtetoi krimet e luftës”, tha Smith.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



