Serbia e cilësoi “provokim” marrëveshjen për mbrojtjen, Vengu: Pezulloheni vetë në iniciativat rajonale me politikën e “karriges boshe”

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i është përgjigjur deklaratave të Serbisë lidhur me marrëveshjes mes Shqipërisë-Kroacisë-Kosovës në fushën e Mbrojtjes.
Duke i cilësuar “narrativa të kota viktimizuese” deklaratat e Serbisë, ministri Vengu thekson se Serbia, me politikën e saj të karriges boshe në iniciativat rajonale, ka pezulluar vetë mundësinë për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.
Vengu shprehet se marrëveshja mes tre shteteve është një angazhim për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë.
“Marrëveshja për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë. Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”, shkruan ministri.
Për më tepër, Vengu shtoi se Shqipëria ka një histori të pastër dhe nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë që dëmton fqinjët.
“Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera. Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripaleshe”, përfundon reagimi i ministrit Vengu.
Serbia e cilësoi aleancën trepalëshe si “provokim”, por këto deklarata kanë sjellë dhe reagimin e mëparshëm të Kroacisë dhe Kosovës.
Kroacia reagoi duke i kujtuar Serbisë se “ishte një vend i pavarur dhe mund të firmoste marrëveshjes me këtë të donte, pasi nuk merrte urdhra nga Beogradi”. Edhe Kosova nga ana tjetër, theksoi se “nuk i trembet kërcënimeve të Serbisë” ndërsa i kujtoi saj që “këto deklarata agresive janë shkelje e hapur të Marrëveshjeve të Brukselit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




