Sezoni i verës dhe gjarpërinjtë, eksperti: Vetëm nepërkat janë të rrezikshme, kujdes në rast pickimi
Me rritjen e temperaturave shtohen edhe rastet e hasjes së gjarpërinjve në natyrë. Njohja e llojeve të tyre dhe mënyra e reagimit në rast pickimi mbetet e rëndësishme për sigurinë e çdo individi. Zoologu Rrok Smajlaj shpjegon si mund të dallohen gjarpërinjtë helmues nga ata jo helmues.
“Vetëm familja e nepërkës te ne është e rrezikshme. Zakonisht, nepërkat e kanë kokën në formë trekëndëshe, të shtypur në drejtimin dorso-ventral. Kanë një bri në pjesën e përparme të nofullës së sipërme. Nga lart dallohen ondulacionet dhe ngjyrat, si edhe shenjat në formë rombesh që kanë në mënyrë të veçantë. Nepërkat dallohen shumë qartë, pasi gjarpërinjtë e tjerë nuk i kanë këto tipare. Kanë një sistem neurohormonal që u mundëson ndryshimin e ngjyrave në një kohë shumë të shpejtë, për t’u mbrojtur nga armiqtë ose për t’u maskuar gjatë sulmit”, tha ai.
Ai tregon gjithashtu se si duhet vepruar në rast pickimi nga një gjarpër.
“Nëse ndodh dhe jemi larg, pa mundur të arrijmë shpejt në spital, për shembull në Vermosh, duhet të kemi kutinë e ndihmës së shpejtë, duke pasur edhe serumin antivipër me vete, sepse një injeksion intramuskular, pak a shumë, jemi të zotë ta bëjmë të gjithë. Në qoftë se kafshimi është në dorë, mund të bëhet një lidhje këtu, jo për të bllokuar krejt qarkullimin e gjakut, por në një farë mënyre që helmi të mos përhapet drejt zemrës, sepse paraliza e muskulit të zemrës çon në vdekje direkte”, tha ai.
Njohja e gjarpërinjve dhe e mënyrës së reagimit në rast pickimi mbetet thelbësore për të shmangur panikun dhe për të rritur sigurinë gjatë qëndrimit në natyrë.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




