Sezoni në Velipojë – Orar për mbetje, zero tolerim për hapësirat publike në plazh
Në nisje të sezonit turistik, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zhvilloi një takim me bizneset, institucionet dhe operatorët turistikë në Velipojë, ku u diskutuan problematikat kryesore dhe masat konkrete për një sezon më të organizuar, më të pastër dhe më funksional.
Në fokus të diskutimeve ishte menaxhimi i mbetjeve, ku u vendos që depozitimi i tyre të bëhet vetëm në fashën orare nga ora 21:00 deri në 07:00 të mëngjesit, me qëllim shmangien e ndotjes në plazhin e Velipojës.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se “Po çdo vit e më shumë jemi përpjekur dhe kemi arritur disa rezultate relativisht të mira, do thoja unë, për sezonin, por mendoj se ka shumë mundësi që së bashku të kemi dhe një sezon shumë më të mirë. Nga ora 21:00 deri në 07:00 mund të bëhet derdhja e plehrave. Nga 07:00 e mëngjesit deri në 21:00 të darkës jo. Kush hedh plehra, siç ramë dakord, do gjobitet.”
Nga ana tjetër, kryebashkiaku u shpreh i prerë se nuk do të ketë asnjë tolerim për hapësirat publike për pushuesit në plazh.
“Këtu nuk jam fare tolerant, sepse duhet të ketë hapësirë publike për pushuesit. Por ju lutem shumë, betejë e shtyve një rresht më këtej, more një çadër më kështu, ne nuk duam. Duam hapësirat publike që do të jenë dyfish më të ndara se vitin tjetër.”
Pjesë e diskutimeve ishin edhe përmirësimi i sinjalistikës rrugore, ndriçimit publik, qarkullimit në qendër të Velipojës dhe krijimi i stacioneve më funksionale për autobusët.
Në takim u trajtuan edhe problematikat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike gjatë muajve të verës, ndërsa institucionet përgjegjëse garantuan ndërhyrje dhe përmirësime për sezonin e këtij viti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




