Sezoni turistik veror, Hoxha: Rritje të sigurisë dhe masa shtesë për monitorimin e trafikut rrugor

Afrimi i sezonit turistik veror, ka bërë që Policia Rrugore të shtojë masat për monitorimin e trafikut rrugor dhe evitimin e ngjarjeve rrugore.
Për këtë, janë vënë në përdorim mjete të teknologjisë së lartë, përfshirë dronë e makina inteligjente, të cilat skanojnë çdo drejtues mjeti që tejkalon normat e shpejtësisë dhe ndëshkon në kohë reale kundërvajtjet rrugore.
“Policia Rrugore ka një flotë pajisjesh, të cilat monitorojnë çdo strukturë vendore dhe çdo vit shtohen në buxhet për të forcuar këto kapacitete”, bëri me dije Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato.
Nga ana e tij, Ministri Ervin Hoxha nënvizoi se janë duke u forcuar kapacitetet për të siguruar rrugë të sigurta, sidomos në periudhën e zhvillimit të infrastrukturës.
“Rrugët që janë në zhvillim kërkojnë një siguri rrugore të shtuar dhe më shumë vëmendje nga Policia Rrugore”, tha Hoxha.
Së shpejti, pritet dhe hapja e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, për të kontrolluar dhe garantuar sigurinë në kohë reale.
Paralelisht, po punohet për zhvillimin e projektit ‘Smart City’, i cili do të sjellë përmirësime të mëtejshme në infrastrukturë, duke integruar teknologjinë për të ndihmuar në parandalimin e aksidenteve dhe rritur sigurinë rrugore.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




