SHBA – Gjykata e Lartë kufizon kompetencat e gjyqtarëve për të bllokuar vendimet e administratës Trump
Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi të premten se një gjyqtar federal nuk gëzon autoritetin për të dhënë vendime që duhen zbatuar në nivel kombëtar nga pushteti ekzekutiv.
Verdikti konsiderohet një fitore për presidentin Donald Trump, i cili më parë është ankuar se gjyqtarët po e pengojnë të vërë në funksion agjendën e tij politike dhe i kanë hedhur poshtë dekretet presidenciale.
Një nga dekretet e kryeshtetarit republikan, të cilin i firmosi me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë, është ai për kufizimin e marrjes së nënshtetësisë amerikane që në lindje, duke pretenduar se shtetasit e huaj po abuzojnë përmes “turizmit të lindjes”, pasi vijnë në Shtetet e Bashkuara posaçërisht për ta lindur foshnjën e tyre aty që të kthehen në shtëpi si amerikanë.
Në një konferencë për shtyp, presidenti Trump e quajti vendimin e Gjykatës një “fitore monumentale për Kushtetutën”. Ai tha se do të përpiqet të vërë shumë shpejt në zbatim kufizimin për marrjen e nënshtetësisë që në lindje dhe politika të tjera që janë bllokuar nga gjykatat federale, për t’i paraprirë proceseve të mundshme gjyqësore kundër këtij vendimi.
“Respekti për Kushtetutën është rikthyer,” tha z. Trump.
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Amy Coney Barrett, tha se ekzekutivi nuk mund të veprojë për të paktën 30 ditë nga marrja e vendimit. Ajo dha edhe argumentet për verdiktin, i cili u votua nga gjashtë gjyqtarë me bindje konservatore, ndërsa tre anëtarë progresistë të gjykatës e kundërshtuan.
“Kur një gjykatë arrin në përfundimin se dega ekzekutive ka vepruar në mënyrë joligjore, përgjigjja e asaj gjykate nuk mund të jetë po ashtu tejkalimi i kompetencave të saj,” shkroi gjyqtarja Barrett në emër të shumicës.
“Kam respekt të madh për të, gjithmonë kam pasur,” deklaroi presidenti Trump pas vendimit, duke iu referuar gjyqtares Barret, që ai e caktoi në Gjykatën e Lartë gjatë mandatit të tij të parë.
E drejta për marrjen e nënshtetësisë që në lindje është vendosur në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës Amerikane që prej vitit 1868. Sipas urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump, shtetet amerikane nuk mund të lëshojnë pasaporta, certifikata shtetësie ose dokumente të tjera për fëmijët kur nënat e tyre jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara ose kur baballarët e tyre nuk janë shtetas amerikane ose banorë të përhershëm me “kartën jeshile”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




