SHBA paralajmërojnë grupin Huthi: Nuk ka negociata me rebelët

Botë | 2 orë më parë

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një paralajmërim përmes “kanaleve të sigurisë” ndaj rebelëve Huthi, duke theksuar se nuk po zhvillojnë negociata me ta.

Paralajmërimi erdhi pas përpjekjes së Huthive për të dhënë mesazhe qetësuese se nuk do të synonin anijet amerikane, në një kohë kur grupi ka intensifikuar operacionet ushtarake përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit, pranë Ngushticës strategjike Bab al-Mandab.

Ky avancim shihet si kërcënim i ri për transportin ndërkombëtar, pasi rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes kësaj rruge ujore.

Në një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Uashingtoni deklaroi mbështetje për qeverinë legjitime të Jemenit dhe i bëri thirrje Huthive të ndalojnë përparimin, të tërhiqen nga territoret e pushtuara dhe të ndalojnë sulmet.

Në terren, forcat qeveritare po përpiqen të rifitojnë iniciativën pas pengesave në Taiz dhe bregdetin perëndimor, ndërsa kanë arritur përparime të ngadalta por të konsoliduara në Al-Jawf dhe Al-Bayda. Luftimet e ashpra vazhdojnë edhe pranë Maribit.

Ekspertët theksojnë se përdorimi i “kanaleve të sigurisë” nuk nënkupton negociata, por kontakte të kufizuara për çështje urgjente.

Analistët e lidhin këtë sjellje me taktikat e Iranit dhe Gardës Revolucionare, ku përshkallëzimi ushtarak pasohet nga oferta sigurie për të shmangur një përballje të përgjithshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme