SHBA-Rusi-Ukrainë takohen në Gjenevë më 17-18 shkurt, raundi i ri i bisedimeve të paqes
Rusia njoftoi se negociatat me zyrtarët ukrainas dhe amerikanë që synojnë të ndërmjetësojnë përfundimin e luftës katërvjeçare do të vijojnë javën e ardhshme në Zvicër.
“Raundi i ri i bisedimeve mbi zgjidhjen e çështjes ukrainase do të mbahet në të njëjtin format trepalësh Rusi-SHBA-Ukrainë, më 17-18 shkurt në Gjenevë”, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.
Në një ndryshim nga formacioni i zyrtarëve të lartë ushtarakë që u dërguan në bisedimet e fundit në Abu Dhabi dhe kryesohej nga Kirill Dimitriv, Peskov bëri me dije se në takimin e Gjenevës delegacioni i Rusisë do të kryesohet nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, ish-ministri i Kulturës, i cili drejtoi raundet e mëparshme të bisedimeve të dështuara në Turqi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy la të kuptohet këtë javë se negociatat pritej të zhvilloheshin më 17-18 shkurt, data të konfirmuara tashmë edhe nga Moska. Rusia dhe Ukraina zhvilluan dy raunde bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në fund të janarit dhe në fillim të këtij muaji.
Si rezultat, palët ranë dakord vetëm për shkëmbimin e parë të të burgosurve të luftës në pesë muaj, por nuk u shënua përparim mbi çështjet kyçe të territorit, ku asnjëra palë nuk tërhiqet, pasi Moska kërkon të marrë kontrollin e plotë të rajonit ukrainas të Dobasit, gjë që refuzohet nga Kievi. Ndërkohë Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës. Mbi 150 dronë dhe një raketë balistike u lëshua gjatë natës ndaj qytetit-port të Odesës, Kramatorskut dhe rajonit të Dnipropetrovskit, ku u dëmtua infrastuktura portuale, energjetike dhe hekurudhore dhe u regjistruan humbje jete dhe të plagosur. Mes viktimave të fundit ishin edhe tre vëllezër, njëri prej tyre vetëm 8 vjeç.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




