ShBA-Serbi partneritet strategjik, dy vendet nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë

Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç dhe nënsekretari amerikan për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin Hoze Fernandes nënshkruan të mërkurën në Uashington Marrëveshjen për partneritet strategjik në fushën e energjisë. “Kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin e energjisë në Serbi, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do ta forcojnë partneritetin strategjik mes dy vendeve”. – thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Në fjalën e tij, zyrtari i lartë amerikan vlerësoi bashkëpunimin me Serbinë në fushën e energjisë së gjelbër. “Ndryshimet klimatike janë sfida e kohës sonë, por janë edhe një mundësi për të investuar në energjinë e së ardhmes.”- tha Fernandez. Ndërsa kryediplomati serb u shpreh se marrëveshja do ta lehtësojë kalimin e vendit të tij në konsumin e energjisë së gjelbër.
“Pakti do të rezultojë në furnizim të sigurt dhe afatgjatë. Përfitues do të jenë qytetarët dhe kompanitë energjetike serbe dhe amerikane,” – shtoi Gjuriç.
Shefi i diplomacisë serbe tha se nënshkrimi i marrëveshjes çon një mesazh të fortë për përkushtimin e Beogradit për të përmirësuar marrëdhëniet e gjithanshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjuriç tha se në dy dekadat e ardhshme, Serbia do të katërfishojë konsumin e energjisë elektrike, ndaj ka nevojë për partneritet me industritë, kompanitë dhe vendet që më herët kanë rritur me sukses kapacitetin e tyre prodhues.
Gazetare: V. Zharri
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




