Shefi i OKB-së për Klimën: Shtetet që nuk reduktojnë emetimet e karbonit, do përballen me stanjacion dhe varfëri  

Botë | 12 muaj më parë

Kreu i OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell, ka dhënë një paralajmërim të fortë për vendet që nuk po ndërmarrin masa për të reduktuar emetimet e karbonit.

Gjatë fjalës së tij në samitin për klimën COP30, Stiell tha se shtetet që dështojnë të kalojnë në ekonomi me karbon të ulët do të përballen jo vetëm me stanjacion ekonomik dhe inflacion, por edhe me përgjegjësi morale për urinë dhe konfliktet në botë.

“Kur fatkeqësitë klimatike shkatërrojnë jetën e miliona njerëzve, kur ne tashmë i kemi zgjidhjet, kjo nuk do të falet kurrë,” theksoi Stiell.

Sipas tij, asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm krizën klimatike, ndërsa pasojat e saj tashmë po dëmtojnë ekonomitë në mbarë botën.

“Të luhatesh ndërsa thatësirat shkatërrojnë të korrat dhe çmimet e ushqimeve rriten, nuk ka kuptim ekonomikisht apo politikisht. Të grindesh ndërsa zia e bukës përhapet dhe miliona njerëz largohen nga vendi i tyre, kjo nuk do të harrohet kurrë,”  paralajmëroi ai.

Stiell shtoi se bota tashmë po ndien pasojat e krizës klimatike përmes tajfuneve, uraganeve, thatësirave dhe përmbytjeve që po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të ushqimeve.

“Ata që zgjedhin të mos veprojnë ose ndërmarrin hapa të vegjël, do të përballen me stanjacion dhe çmime më të larta, ndërsa ekonomitë e tjera ecin përpara,” tha ai.

Diskutimet në samit do të përqendrohen në uljen e emetimeve të gazrave serrë, duke përcaktuar rrugën për kalimin larg lëndëve djegëse fosile dhe duke siguruar financimin e nevojshëm për të mbrojtur vendet e varfra nga moti ekstrem.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme