Shembet rruga në Prekal, qytetari: Situata është jashtëzakonisht e vështirë. Bashkia Shkodër: Plan emergjent për riparimin
Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin, duke shkaktuar problematika në disa zona. Segmenti rrugor Ura e Shtrenjtë-Prekal është shembur, duke bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve. Elvis Deda, banor i zonës, në një lidhje për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, tha se situata është jashtëzakonisht e vështirë.
“Ka një shembje të bazamentit të rrugës. Për momentin ndërhyrja është e pamundur. Rruga është e pakalueshme për automjetet, por edhe për banorët për të lëvizur në këmbë është e rrezikshme. Situata është jashtëzakonisht e vështirë, duke pas parasysh edhe kushtet e banorëve”, u shpreh ai.
Në një reagim, Bashkia Shkodër bëri me dije se janë kryer monitorimet dhe se është hartuar edhe nj ëplan emergjent për riparimin e rrugës. Po ashtu, në zonën e Shoshit, ku janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe shembje të trupit të rrugës, ekipet e bashkisë pritet të ndërhyjnë nesër, në varësi të kushteve atmosferike, për hapjen e segmentit të bllokuar.
“Në aksin Prekal – Ura e Shtrenjtë, inxhinierët e Bashkisë Shkodër kanë kryer monitorimin e situatës dhe kanë hartuar një plan emergjent për riparimin e rrugës gjatë kësaj jave. Në zonën e Shoshit, ku janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe shembje të trupit të rrugës, ekipet e Bashkisë Shkodër, nesër por në varësi të kushteve atmosferike, do të ndërhyjnë për hapjen e segmentit të bllokuar. Bashkia Shkodër është pranë banorëve në këtë situatë, në gatishmëri për çdo emergjencë, dhe i këshillon qytetarët të shmangin lëvizjet në këto zona, për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme, të cilat mund të rrezikojnë jetën e kalimtarëve”, thuhet në reagim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




