Shkalla e katastrofës “përtej imagjinatës” në Nepal. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave u marrin jetën 157 personave, mbi 400 të zhdukur

Botë | 2 muaj më parë

Të paktën 157 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet e shpejta dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Situata mbetet veçanërisht e rëndë në zonat pranë kufirit me Kinën. Sipas Bordit të Turizmit të Nepalit, 403 persona rezultojnë të zhdukur, mes tyre 341 shtetas të huaj.

Shumë prej personave të zhdukur besohet se po udhëtonin drejt zonës së Kailash Mansarovar, pranë kufirit Indi-Nepal-Tibet, një destinacion i rëndësishëm turistik dhe fetar.

  • Fatkeqësia ka prekur rëndë edhe Tibetin, ku rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet kanë shkaktuar viktima dhe kanë lënë persona të tjerë të zhdukur. Në zonat kufitare janë mobilizuar qindra punonjës të ekipeve të emergjencës, gjeologë dhe inxhinierë, të pajisur me dronë, skanerë dhe pajisje të specializuara për kërkim-shpëtim. Megjithatë, operacionet po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të rrugëve të dëmtuara.

    Distriktet Rasuwa dhe Nuwakot janë ndër zonat më të goditura në Nepal. Përmbytjet dhe rrëshqitjet kanë shkatërruar rrugë, ura, hidrocentrale dhe pjesë të rëndësishme të infrastrukturës që lidh Nepalin me Kinën.

    Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, ka shprehur dhimbjen e tij për tragjedinë, duke thënë se i gjithë vendi është tronditur thellë nga humbja e jetëve dhe dëmet e mëdha materiale. Ai ka deklaruar se qeveria ka mobilizuar menjëherë të gjitha burimet në dispozicion për të vijuar operacionet e shpëtimit dhe rikuperimit.

    Përmasat e katastrofës e bëjnë atë një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që ka goditur Nepalin që prej tërmetit të vitit 2015, ku humbën jetën rreth 9 mijë persona.

    Ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet, autoritetet po përballen me një garë kundër kohës për të gjetur qindra personat e zhdukur dhe për të evakuuar banorët nga zonat që mbeten të rrezikuara nga rrëshqitjet dhe përmbytjet e reja.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme