Shkarkimi i drejtorit pas arratisjes së Altin Ndocit, në krye të Burgut të Durrësit komandohet Edmond Llabani

Aktualitet | 10 muaj më parë

Një ditë pas shkarkimit të drejtorit të Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, dhe të gjithë zinxhirit komandues të Institucionit të Ekzekutimit të Përkohshëm të Vendimeve (IEPV) Durrës, është komanduar Edmond Llabani si drejtor i ri i Burgut të Durrësit.

Shkarkimi ndodhi pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku pas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Burgjeve, janw konstatuar shkelje të procedurave standarde gjatë shoqërimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Altin Ndoci, i njohur për precedentë penalë dhe përfshirje në dosje të bujshme kriminale, u arratis nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Ai ishte në paraburgim që nga viti 2020 për vepra të rënda penale dhe akuzohej si i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i Alibej dhe një shtetas turk. Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andi Zylyfit.

Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një  herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme