Shkodër, sherri për motive banale degjeneron në përdorimin e një arme zjarri, “Shqiponjat” prangosin në kohë rekord 26-vjeçarin

Aktualitet | 11 muaj më parë

Një konflikt i çastit për motive të dobëta ka rrezikuar të përshkallëzohet në një ngjarje të rëndë mesditën e sotme në qytetin e Shkodrës. Një 26-vjeçar është vënë në pranga nga forcat e policisë, pasi terrorizoi lagjen duke qëlluar me breshëri automatiku në ajër pas një debati me një tjetër person.

Policia e Shkodrës bëri të ditur se incidenti u regjistrua në lagjen “Tre Heronjtë”. Pas një konflikti verbal për arsye banale, shtetasi me iniciale A. Sh., 26 vjeç, ka kanosur me armë zjarri shtetasin Xh. G., 20 vjeç.

Sipas policisë, në gjaknxehtësi e sipër, autori ka nxjerrë një armë zjarri tip automatik dhe ka qëlluar në ajër, duke shkaktuar panik.

Ndërhyrja e policisë

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për të shtëna, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Specialistët për Hetimin e Krimeve, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.

“Falë reagimit të shpejtë dhe rrethimit të zonës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, A. Sh., vetëm pak minuta pas ngjarjes, duke shmangur kështu pasoja të mëtejshme.”, njofton policia.

Gjatë operacionit, uniformat blu arritën të gjenin dhe të sekuestronin në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit (automatik), e cila dyshohet se u përdor nga 26-vjeçari gjatë konfliktit.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ku i riu do të përballet me akuzat për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme