Shkodra pret një sezon turistik rekord, investime të reja dhe përgatitje intensive
Pritshmëritë për numrin e turistëve në Shkodër gjatë sezonit turistik të këtij viti janë të larta.
Sipas drejtuesve të sektorit të turizmit në bashki, investimet e realizuara dhe ato që janë ende në proces pritet të kenë një ndikim të ndjeshëm në rritjen e frekuentimit te destinacioneve turistike.
“Sidomos rruga që do të lidhë Shirokën me kufirin është një pikë shumë e rëndësishme që do t’i japë një zhvillim gjithë vitin. Liqeni është një perlë që Shkodra e disponon dhe me këto ndërhyrje në infrastrukturë po kërkohet që të shkohet me operatorë turistikë”, u shpreh Renato Lumci, Drejtor i Turizmit, Bashkia Shkodër.
Në kuadër të masave për përgatitjen e sezonit, një vëmendje e veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes së mjedisit, përmes pastrimit dhe gjelbërimit të hapësirave publike.
“Ndërmarrja e shërbimeve publike në Bashkinë Shkodër ka bërë një punë shumë të mirë sidomos me pastrimin, gjelbërimin, me sistemimin e hapësirave publike dhe me ndriçimin, sigurisht. Pra të jetë një qytet që të kenë nga të gjithë anët e botës turistë“, theksoi Lumci.
Dukuri e viteve te fundit është zgjerimi në kohë i sezonit turisitik, duke e kthyer Shkodrën në një destinacion gjithëvjetor.
Vitin e kaluar, Shkodra u rendit si qarku me numrin më të madh të vizitorëve në vend.
Nga janari deri në shtator të 2024-ës, mbi 1 milion turistë vendas dhe të huaj vizituan zonat e mbrojtura të qarkut, ku ndër destinacionet më të frekuentuara ishin Velipoja, Thethi dhe Lumi i Shalës.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




