Shpërdoruan detyrën, masa sigurie për tre ish-funksionarë në Elbasan

Aktualitet | 5 muaj më parë

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj tre ish-funksionarëve të shtetit.

Konkretisht u ekzekutuan masat e sigurimit ndaj tre ish -funksionarëve të shtetit, G.A, K.H. dhe D.A, Drejtor i AMP-së, Oficer i Policisë Gjyqësore dhe Drejtor i Policisë Bashkiake, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 109/b/1 e 25 të K.Penal.

Nga hetimi i deritanishëm ka dyshim të arsyeshëm se ish–funksionarët G.A, K.H dhe D.A, gjatë ushtrimit të detyrës, duke shfrytëzuar funksionet e tyre si Drejtor i AMP-së, Oficer i Policisë Gjyqësore dhe Drejtor i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim, kanë shtrënguar me anë të dhunës shtetasin A.B subjekt tregtar, duke shtënë në dorë në mënyrë të padrejtë pasurinë e tij me qëllim moskryerjen e kontrolleve ndaj subjektit që ky shtetas administron, duke cenuar marrëdhëniet juridike që mbrojnë lirinë e personit dhe pasurinë private.

Hetimet e kësaj çështje po vijojnë me prioritet, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me qëllim dokumentimin e mëtejshëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, shpreh angazhimin për hetimin me përparësi të grupveprave që lidhen me veprat penale kundër lirisë së personit si dhe pasurimin e paligjshëm e që cenojnë të drejtat pasurore të shtetasve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme