Shqipëria pret qëndrim pozitiv nga Komiteti i Jashtëm i PE-së, Marta Kos vlerëson progresin e muajve të fundit

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian do të shqyrtojë të mërkurën progresin e reformave në disa vende kandidate për në BE.
Sipas njoftimit nga Parlamentit Evropian, eurodeputetët do të vlerësojnë çështjet aktuale dhe progresin me reformat në disa vende kandidate ndërsa ato përparojnë drejt anëtarësimit në BE.
Bëhet e ditur nga Parlamenti Evropian “Në votime të ndara, eurodeputetët do të vlerësojnë situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Gjeorgji”.
Ndër vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pritet një vlerësim pozitiv të mërkurën për Shqipërinë, e cila po i përmbush në mënyrë dinamike kushtet dhe së fundmi ka hapur grupkapitullin 3 dhe 27 kapituj gjithsej në negociatat me Unionin në vetëm tetë muaj që nga tetori i 2024-ës, theksojnë analistët.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka vlerësuar punën e Shqipërisë në muajt e fundit veçanërisht, teksa në fjalën e saj në Komisionin e Politikës së Jashtme pranë Parlamentit Evropian, theksoi se së bashku me Malin e Zi, janë vendet ballkanike më pranë Unionit se askush tjetër.
Kos, përmendi se si Shqipëria, një vend kandidat, i cili negociatat i ka hapur prej pak kohësh, më shumë avancim ka bërë në gjashtë muajt e fundit.
“E ardhmja e këtij vendi, i cili kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon, qëndron në BE. Shqipëria është një partnere e fortë e BE-së. Si anëtare e NATO-s, ajo është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit. E ardhmja e këtij vendi, i cili kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon, qëndron në BE“, pohon Kallas.
Gjendja aktuale e negociatave të zgjerimit, lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës dhe politika e fqinjësisë së BE-së ishin ndër temat prioritare të programit aktual të punës së Komisionit që eurodeputetët diskutuan me komisioneren Kos.
Gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, komisionerja për Zgjerimin deklaroi se Shqipëria po ecën më shpejt se më parë me reformat e integrimit.
“Vetëm në dy muajt e fundit kemi hapur grupkapitullin e dytë dhe të tretë. Ky vend kandidat e ka kuptuar vrullin e ri për zgjerim duke ndërmarrë reforma më të shpejta se më parë”, përmendi Kos, duke vënë theksin te 24 kapitujt negociues që janë hapur në këtë kohë.
Gjatë një interviste me median gjermane Welt, Kos ka folur pikërisht rreth dinamikave të reja në Ballkan dhe zhgënjimin që disa shtete kanë pasur lidhur me këtë çështje.
“E dini, kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, për shembull. Ato po përmbushin shumë mirë premtimet. Po zbatojnë reformat. Ata e shohin procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomive të tyre, si dhe të zonave të tjera brenda vendit. Dhe, për shembull, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjitha negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe pastaj me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ekziston një mundësi realiste që të dy vendet të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



