Shqipëria U-15 mposht Maltën U-15 në testin e dytë miqësor

Shqipëria U-15 triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Maltës, takimi i dytë miqësor i luajtur brenda dy ditëve në “Shtëpinë e Futbollit”. Për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Gent Mahmuti shënuan Kevin Plepi, Samuel Prendi dhe kapiteni Denian Avdylaj.
Trajneri Mahmuti e nisi ndeshjen me këtë formacion: Lionel Ademi (GK), Denian Avdylaj (C), Kevin Muharremi, Romeo Hazizaj, Kevin Plepi, Enea Taci, Deni Duka, Gean Ramadani, Satjago Perkola, Samuel Prendi, Noel Lleshi.
Kuqezinjtë e nisën shumë mirë ndeshjen, duke kaluar të parët në epërsi që në minutën e 5-të të takimit. Kevin Plepi realizoi për Shqipërinë, duke përfituar nga rrëmuja në zonën kundërshtare.
Samuel Prendi dyfishoi shifrat për ekipin tonë në minutën e 15-të. Duka dhuroi një asist për sulmuesin, i cili u fut brenda në zonë dhe e çoi topin në fundin e rrjetës.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 për Shqipërinë.
Në fraksionin e dytë, miqtë ngushtuan rezultatin në minutën e 63-të. Ky gol nuk i demoralizoi kuqezinjtë, të cilët gjetën golin e tretë në minutën e 80-të me Denion Avdylaj. I gjendur brenda zonës, kapiteni provon të gjuajë topin drejt e në portë, por pengohet fillimisht nga rreshtimi i kundërshtarëve. Topi mbetet sërish në zonë dhe Avdylaj tenton sërish duke e çuar këtë herë topin në portë.
Maltezët ngushtojnë sërish shifrat në minutën e 86-të, një gol që nuk ndryshoi aspak fatin e takimit pasi ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2 për Shqipërinë U-15.
Fitorja në këtë sfidë i takoi kuqezinjve të vegjël, të cilët pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë, reaguan pozitivisht në takimin e dytë miqësor kundër Maltës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




