Shqipëria, udhëtimi i parë i Papa Françeskut pas marrjes së detyrës

Aktualitet | 2 vite më parë

Shqipëria ishte vendi i parë që Papa Françesku vizitoi në Europë pasi mori detyrën. Ati i Shenjtë erdhi në vendin tonë më 21 shtator të vitit 2014-të, 21 vite pas vizitës së Papës Gjon Pali II.

Qindra mijëra besimtarë, të krishterë e myslimanë, mbushën bulevardin qendror të Tiranës asokohe për të pritur Papa Françeskun. Po ashtu nuk munguan as krerët fetarë, politikanë, e shoqëria civile. Në fjalimin e tij historik në pallatin presidencial, Papa Françesku vlerësoi bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

“Askush të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij. Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”, tha Papa për popullin shqiptar.

Papa zgjodhi Shqipërinë si peizazhin simbolik për t’i dhënë botës një mesazh shumë më të gjerë: lufta kundër ekstremizmit fetar dhe referenca për “globalizimin e solidaritetin”.

Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

Vatikani njoftoi ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë mëngjesin e kësaj të hëne (21 prill). Ai mbylli sytë përgjithnjë në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit. Papa, emri i të cilit është Jorge Mario Bergoglio, ishte diagnostikuar me pneumoni dypalëshe dhe qëndroi disa javë i shtruar në spitalin Gemelli të Romës.

Vdekja e tij vjen një ditë pasi u shfaq në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u uruar “Gëzuar Pashkët” mijëra besimtarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme