Shtëpi-muze për Dritëro Agollin, hidhen themelet e muzeut ku do të pasqyrohen veprat e shkrimtarit
Në një moment të rëndësishëm për kulturën dhe kujtesën kombëtare, në fshatin Menkulas të Devollit janë hedhur themelet e Shtëpisë-Muze kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.
Shtëpia-muze do të shërbejë si një hapësirë e gjallë për të ruajtur kujtimin e tij, për të ekspozuar dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe materiale arkivore, si dhe për të organizuar aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë letrare shqiptare.
Vajza e shkrimtarit Elona Agolli u shpreh për RTSH se “Do të ketë një mundësi dhe një hapësirë të posaçme dedikuar edhe traditave të familjes Bektashiane, historisë familjare të shkrimtarit Dritëro Agollit.”
Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj nënvizoi se ,”Dritëroi ishte një personalitet i këtij kombi, ka qenë deputet i këtij populli i cili me veprat dhe fjalët e tij na ka frymëzuar për punë të mira.”
Ndërsa kryetar i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa theksoi se, “Ngritja e një Memoriali apo qoft dhe një muze në vendlindjen e tij është një akt kulturor. Është një akt i memories kombëtare për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare. Dritëro Agolli, sikurse e quanin dikur në kritikën evropianë, “kafka me më tepër dritë” është një fenomen letrar.
I afërm i Dritëroit, Ylber Hoxha teksa shprehu vlerësime për ndërtimin e këtij muzeu në vendlindje tha se, “kjo është një gjë shumë e bukur për fshatin tonë dhe falënderojmë jashtë mase qeverinë.”
Ky projekt synon të bëhet një pikë referimi për vizitorë, studiues dhe të rinj që duan të njihen më nga afër me jetën e një prej figurave më humane, më të ndershme dhe më të dashura të kulturës shqiptare.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




