Shtëpia e Bardhë: SHBA goditi rëndë kapacitetet ushtarake të Iranit, hapet rruga për negociata

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka dhënë një përditësim mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se SHBA-të kanë goditur rëndë kapacitetet ushtarake të Iranit gjatë operacionit të quajtur Operacioni “Epic Fury”.
Sipas saj, infrastruktura ushtarako-industriale e Iranit, e përdorur për prodhimin e raketave dhe dronëve, është shkatërruar në masë të madhe. Ajo shtoi se marina iraniane është “asgjësuar”, duke pretenduar se vendi nuk disponon më nëndetëse dhe se shumica dërrmuese e minave detare janë neutralizuar, ndërsa forcat ajrore janë bërë “funksionalisht të parëndësishme”.
Leavitt theksoi gjithashtu se objektivi kryesor mbetet ndalimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Sipas saj, përpara nisjes së operacionit, Irani po zgjeronte në mënyrë agresive kapacitetet e tij të raketave me rreze të shkurtër, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të arritur këtë qëllim.
Ajo pretendoi se edhe struktura komanduese e Iranit është goditur rëndë dhe se drejtuesit e mbetur nuk lëvizin më lirshëm, duke jetuar në kushte pasigurie.
Sipas administratës amerikane, objektivat kryesore, ndalimi i programit bërthamor dhe dobësimi i kapaciteteve detare, ajrore dhe të dronëve, janë arritur me sukses.
Shtëpia e Bardhë e sheh armëpushimin aktual si një mundësi për të vijuar negociatat me Iranin mbi një propozim të ri, përmbajtja e të cilit nuk është bërë publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




