Shtetase nga Irani në protestë, Rama: Kemi edhe “turistë” të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me praninë e disa personave në protestën që po zhvillohet në bulevard. Ai e ka shoqëruar postimin e tij me një video të publikuar me mesazhin: “Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur “turist” për të shpëtuar Shqipërinë”.

Sipas kreut të qeverisë, në tubim ka elementë që nuk përfaqësojnë qëllimet e vërteta të pjesëmarrësve të tjerë.

“Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, po kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”, shkruan Rama.

Në videon e shpërndarë, dy vajza sqarojnë prejardhjen dhe motivin e pjesëmarrjes së tyre në këtë tubim, duke u shprehur se ndodhen në vend prej pak ditësh.

“Kemi 5 ditë që jemi në Shqipëri. Erdhëm këtu të mbështesim popullin shqiptar dhe njerëzit që protestojnë dhe duam të jemi solidar”, dëgjohen të thonë ato.

Më tej, vajzat bëjnë një paralelizëm mes situatës lokale dhe asaj globale, duke specifikuar edhe shtetin ku jetojnë dhe vendin e tyre të origjinës.

“Përballemi të gjithë me të njëjtat beteja të gjithë kemi të njëjtët shtypës. Është e njëjta dinamikë në çdo vend, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta mes nesh sesa me njerëzit që na qeverisin. Ne jetojmë në Kanada, por jemi nga Irani.”, thonë ato në video.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme