Shtyhet më 5 maj seanca për dosjen “Partizani”, mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtares

Seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku janë të akuzuar ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, është shtyrë për më 5 maj 2025. Vendimi erdhi pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, duke e akuzuar për njëanshmëri në vendimmarrje.
Avokati Genc Gjokutaj deklaroi se kërkesa vjen pas vendimit të gjyqtares për pavlefshmërinë e kërkesave të mbrojtjes, pa sqaruar arsyet ligjore të refuzimit.
“Kemi depozituar me shkrim kërkesën për përjashtimin e gjyqtares. Vendimi i saj ishte i padrejtë dhe tregoi një qëndrim të njëanshëm. Sot ne depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi dhe seanca u ndërpre sipas procedurës, sepse gjyqtarja nuk mund të japë vendim pa u shprehur një tjetër gjyqtar i gatshëm në lidhje me vendimmarrjen e saj,” tha ai për mediat.
Berisha ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Malltezi është në “arrest shtëpie” për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Çështja lidhet me hetimet për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




