Shtyhet projektligji për Gardën e Republikës, Balliu: Po e bëni për interes të një individi. Balla: Aspak e vërtetë

Me propozim të kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, projektligji për Gardën e Republikës është shtyrë për në seancën e ardhshme parlamentare që pritet të mbahet më 23 prill. Megjithatë, ky projektligj ka ngjallur debat në seancën plenare të kësaj të enjte (16 prill), teksa deputeti demokrat, Klevis Balliu akuzoi se ndryshimet po bëhen për të favorizuar një individ të vetëm.
“Për projektligjin për Gardën, është një kostum që po i përgatitet një njeriu që ka qejf kryeministri bëjë shef të gardës. Një projektligj që nuk duhet të shkeli në këtë sallë se nuk mund të merret parlamenti të bëjë projektligj për një person. Hiqen kriteret që t’i përshtaten një njeriu. Jemi dakord që ai projektligj të mos shkeli këtu se nuk është për gardë është për interes të një individi. Parlamenti duhet ët bëjë ligj për interesin qytetar dhe shtetëror, jo për interesin e një personi”, tha ai.
Balla hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si të pavërteta, teksa shtoi se Garda e Republikës është një institucion elitë, punonjësit e Gardës meritojnë respekt
“Kam kërkuar shtyrjen për seancën pasardhëse. Nuk është aspak e vërtetë ajo që u tha, Garda e Republikës është një institucion elitë, punonjësit e Gardës meritojnë respekt. E vërteta është që duhet t’i ofrojmë mbështetjen tonë Gardës së Republikës. Çdo lloj akuze apo insinuate dhe shpifje ndaj Gardës së Republikës është e ulët. I qëndroj propozimit tim dhe për shkak se kemi shumë çështje të tjera, kjo çështje të kalojë për shqyrtim në seancën e datës 23”, deklaroi Balla.
Projektligji i ri parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Gardës të emërohet nga Kryeministri, pas propozimit të ministrit, dhe të marrë menjëherë gradën “Drejtues Madhor”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




