Shtyrja e seancës në Administrative/ Zbardhet deklarata e Veliajt për Gjykatën Kushtetuese dhe paraburgimin

Aktualitet | 4 muaj më parë

Zbardhet deklarata që kryebashkiaku Erion Veliaj do të shprehte në seancën në Gjykatën Administrative, e cila u shty për më 24 korrik. Deklarata e Veliajt nuk u lejua të lexohej në sallë, pasi gjyqtari i kërkoi të shprehej vetëm në lidhje me vijimin ose jo të seancës.

Në deklaratën e përgatitur për t’u paraqitur në gjykatë, Veliaj i referohej vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se sipas tij Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai shtonte se, sipas këtij vendimi, nuk ishin trajtuar siç duhet pretendimet për cenimin e dinjitetit të tij për shkak të mbajtjes në kabinën e xhamit gjatë proceseve gjyqësore.

Në deklaratë përmendet gjithashtu se një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë plotësuar standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale. Veliaj thekson se këto zhvillime nuk përbëjnë pasoja abstrakte, duke shtuar se ndodhet prej 16 muajsh në paraburgim dhe se, sipas tij, vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze në mënyrën e justifikimit të kufizimit të lirisë së tij.

Më tej, ai nënvizon se çështja ka rëndësi që tejkalon individët e përfshirë, duke e cilësuar si një proces që lidhet me standardet e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e demokracisë kushtetuese. Sipas deklaratës, Veliaj vlerëson se në thelb çështja lidhet me ligjshmërinë e ushtrimit të kompetencave nga persona zyrtarë dhe ndikimin e tyre në të drejtat themelore të qytetarëve, përfshirë ushtrimin e një mandati të zgjedhur me votë. Ai shton gjithashtu se i ka vënë në dispozicion gjykatës vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për procesin në shqyrtim.

Deklarata e plotë:

I nderuar trup gjykues,

Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.

Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime.

Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese.

Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme