Sindroma Down, takim sensibilizues me prindër për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë sindromë
Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, në Korçë u zhvillua një aktivitet sensibilizues me pjesëmarrjen e prindërve që kanë fëmijë me Sindromën Down, si dhe përfaqësuesve të komunitetit. Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i përfshirjes së plotë të këtyre fëmijëve në shoqëri.
“Dua të ndërgjegjësojmë më shumë nënat për ndikimin që ne si nën mund të kemi për fëmijët tanë. T’i rrisim fëmijët me ndjenjën dhe idenë e gjithë përfshirjes. T’i rrisim me idenë që të gjithë ne si njerëz jemi të veçantë, unikë”, tha Ina Xhafa, specialiste politikash edukimi.
Gjatë aktivitetit, prindërit ndanë përvojat e tyre personale, sfidat e përditshme, por edhe arritjet dhe sukseset e fëmijëve të tyre. Ata theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe sociale për të siguruar një jetë sa më cilësore dhe të barabartë për fëmijët.
“Është e nevojshëm ndjekja e një terapie zhvillimi për fëmijët që kanë këto lloj problematikash. Gjithashtu edhe dashuria që ata marrin nga njerëzit që i rrethojnë, është një gjë që ata i ndihmon shumë në zhvillim”, u shpreh Xhuliana Bazelli, terapiste zhvillimi.
Aktiviteti u mbyll me një mesazh të fortë solidariteti dhe shprese, duke theksuar se çdo fëmijë meriton mundësi të barabarta dhe një të ardhme të ndritur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




