Situata e zjarreve në Mallakastër- Operacione nga toka dhe ajri, synohet që të vihen nën kontroll

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ndërhyrjet nga toka dhe ajri, që në orët e para të mëngjesit, kanë arritur të monitorojnë katër vatrat e zjarrit në masivin pyjor me pisha në Mallakastër.

Dhjetëra forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë janë në terren për vënien nën kontroll të zjarrit të nisur tre ditë më parë.

“Për momentin është në kontroll. Po operohet edhe nga ajri me dy helikopterë të Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura. Jemi në krye të operacionit së bashku me të gjitha strukturat përkatëse. Besoj që do të monitorohet deri në eliminimin e plotë”, tha Haki Çako , Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile .

“Përtej perimetrit të zgjeruar të zjarrit po punohet aktualisht në dy vatra kryesore. Një e cila është ndërmjet dy fshatrave Panahor dhe Sfirë, dhe pjesa tjetër që është kufi me zonën e Patosit, ku po punohet në një pjesë tjetër,” tha Qerim Ismailaj, Kryetar i bashkisë Mallakastër.

Në mëngjes, gjashtë familje nga fshati Riban u evakuuan përkohësisht për arsye sigurie, ndërsa pas vlerësimit të situatës, brenda pak orësh janë rikthyer në banesat e tyre.

“Nuk ka për momentin asnjë rrezik për banesat, sepse edhe masat e marra janë të tilla që prioritet absolut janë banorët dhe banesat. Pastaj vjen pjesa tjetër e masave për masivin pyjor dhe gjithë pjesën e zonës që është përfshirë nga zjarri,” tha Ismailaj.

Drejtuesit e operacionit në terren besojnë se brenda ditës së sotme zjarret në këtë zonë do të vihen nën kontroll.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme