Situatë problematike në Qarkun Gjirokastër, 4 familje të evakuuara, dëmtohet sërish Ura e Glinës, bllokohen një sërë aksesh rrugore

Prefekti i Qarkut Gjirokastër ka publikuar raportin e përditësuar mbi situatën e reshjeve dhe pasojat e tyre në territor. Sipas raportit, reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët, megjithatë në disa zona vijojnë problematikat infrastrukturore dhe rreziku nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Bashkia Gjirokastër
Në kilometrin 17 të aksit rrugor Gjirokastër–Tepelenë, lumi Drino po i afrohet trupit të rrugës, ndërsa firma kontraktore ka përqendruar mjete për forcimin e argjinaturës. Në fshatin Tërbuq, Njësia Administrative Odrie, ku aksi rrugor është i bllokuar, po ndërhyjnë specialistë dhe mjete të Ministrisë së Mbrojtjes në ndihmë të bashkisë.
Në fshatin Dhoksat të Njësisë Administrative Lunxhëri pritet ulja e nivelit të ujit për të nisur punimet për hapjen e rrugës. Ndërkohë, në aksin që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë është dëmtuar një urë e vogël, për të cilën ka nisur transportimi i materialeve për riparim.
Bashkia po punon gjithashtu për devijimin e ujërave në fshatin Nokovë, ku rrezikohen disa banesa. Specialistët gjeologë kanë përfunduar inspektimet në zonat me rrezik rrëshqitjeje. Gjatë dy ditëve të fundit janë evakuuar gjithsej katër familje, dy në Labovë të Zhapës (Njësia Administrative Odrie) dhe dy në qytetin e Gjirokastrës.
Bashkia Dropull
Problematike mbetet ura e Glinës, e cila ka pësuar një dëmtim të ri, megjithëse aktualisht është jashtë funksionit.
Bashkia Libohovë
Janë evidentuar bllokime rrugësh në fshatrat Topovë, Zhej dhe Lliar. Në fshatin Hoshtevë, Njësia Administrative Zagori, janë evakuuar banorët e dy banesave për shkak të rrëshqitjeve të dherave.
Bashkia Memaliaj
Vijon problematika e gërryerjes së tokave bujqësore nga lumi Vjosë në Njësinë Administrative Qesarat, përballë fshatit Qesarat.
Bashkia Përmet
Fshati Buhal dhe zona e Frashërit mbeten të bllokuara. Ndërhyrja për hapjen e rrugës drejt Buhalit është e pamundur për shkak të prurjeve të larta të ujit. Në lagjen “Sede” të qytetit të Përmetit, katër familje janë evakuuar dhe strehuar në një konvikt, ndërsa forcat bashkiake po punojnë për normalizimin e situatës.
Bashkia Tepelenë
Në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi kryhet vetëm në një korsi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




