Specialja në Hagë shpall aktgjykimin, 81 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së. 25 vite për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vite Veseli, 13 vite Selimi

Kosovë | 42 minuta më parë

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me një total prej 81 vitesh burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është dënuar gjithashtu me 25 vjet burgim.

Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit dhe për disa prej akuzave dhe incidenteve të tjera.

Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues theksoi se përgjegjësia e të katërve është individuale, por konstatoi se ata kishin vepruar së bashku në kuadër të një qëllimi të përbashkët.

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Hashim Thaçi kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, ndërsa Kadri Veseli dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e tij dhe, sipas gjykatës, ishte i përfshirë në identifikimin dhe shënjestrimin e kundërshtarëve.

Rexhep Selimi, sipas aktgjykimit, kishte rol në krijimin dhe funksionimin e zonave operative, emërimin e personave në pozita kyçe dhe ishte në dijeni për krime ndaj kundërshtarëve. Ndërsa Jakup Krasniqi u gjet përgjegjës për kontribut në strukturat dhe organet e UÇK-së, si dhe për dijeninë që, sipas gjykatës, kishte për ndalime, keqtrajtime dhe vrasje të paligjshme.

Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin. Pas shpalljes së dënimeve, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme